Loading…

THIRRJE – Përzgjedhja e organizatave jofitimprurëse

Një ndër ofruesit e ndihmës juridike parësore janë organizatat jofitimprurëse të cilat do të autorizohen nga Ministria e Drejtësisë përmes një procedure të detajuar e cila është e parashikuar në dy akte nënligjore të dala në zbatim të ligjit 111/2017.

Bazuar në vendimin nr. 55 datë 06.02.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe dokumentacionit për autorizimin e organizatave jofitimprurëse që ofrojnë ndihmë juridike parësore të garantuar nga shteti”; si dhe Vendimit nr. 110, datë 06.03.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe të rregullave të përzgjedhjes së organizatave jofitimprurëse të autorizuara për ofrimin e ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti, që përfitojnë financime nga buxheti i shtetit dhe mënyra e financimit të tyre, më datë 26.02.2020,  Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas  ka shpallur njoftimin për hapjen e procedurave të aplikimit për autorizimin e organizatave jofitimprurëse që do të ofrojnë ndihmë juridike parësore të garantuar nga shteti, në faqen zyrtare të MD dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare në QBZ.

Organizatat jofitimprurëse që autorizohen për dhënien e shërbimeve të ndihmës juridike parësore duhet të përmbushin këto kritere :

  1. të jenë të regjistruara në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizatat jofitimprurëse;
  2. të kenë si objekt të veprimtarisë së tyre të parashikuar në statutin e organizatës ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike;
  3. të kenë shlyer detyrimet tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi;
  4. të kenë përvojë në ofrimin e ndihmës juridike;
  5. të mos jenë në proces falimentimi dhe/ose likuidimi;
  6. anëtarët e organit më të lartë vendimmarrës dhe të organit ekzekutiv të organizatës jofitimprurëse të mos jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale me dashje dhe që do të cenonte besimin e publikut dhe ofrimin e përshtatshëm të ndihmës juridike.

Si pasojë e situatës së krijuar nga covid-19, me shkresën nr. 65/1 Prot., datë 30.03.2020, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas ka publikuar  shtyrjen e afatit të aplikimeve nga OJF  në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare në QBZ. Organizatave  u është bërë me dije, se ato të cilat kanë dokumentacionin tashmë të përgatitur mund të vijojnë me dorëzimin e dosjes së aplikimit dorazi ose përmes shërbimit postar pranë DNJF, në Ministrinë e Drejtësisë. Gjithashtu, OJF-të janë sugjeruar të vijojnë me përgatitjen e dokumentacionit që nuk  merret nga gjykatat në mënyrë që të fitojnë kohë me përgatitjet e dosjeve. (emailet janë dërguar në datat 18.03.2020 dhe 07.04.2020 – rreth 100 organizatave.

Leave a Reply