Ndihmë juridike falas në çdo qark, përurohet qendra e Elbasanit
Ministria e Drejtësisë inauguroi qendrën e shërbimeve të ndihmës juridike parësore falas në Elbasan. Gjatë përurimit, ministrja Etilda Gjonaj vendosi theksin te rëndësia që ka ky projekt për qytetarët në nevojë me të ardhura të pamjaftueshme, duke siguruar se po vijon puna për të ngritur në secilin qark nga një qendër.
“Qendra do të ofrojë shërbime të ndihmës juridike parësore me qëllim informimin e qytetarëve për legjislacionin shqiptar dhe aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Shteti Shqiptar por edhe çështje të cilat lidhen me ndërmjetësimin, këshillimin, përpilimin e akteve, përfaqësimin pranë organeve të administratës shtetërore si dhe shërbime të tjera. Tashmë të gjitha shërbimet e përmendura më sipër do të garantohen për të gjithë qytetarët të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme por njëkohësisht edhe për kategori të posaçme si viktimat e dhunës, trafikimit, të miturit në konflikt me ligjin, personat me aftësi te kufizuar etj. Kjo është qendra e parë por jo e vetmja pasi një sërë qendrash të tjera do të hapen në disa qytete për ti ardhur në ndihmë qytetarëve për të mundësuar ndihmën juridike, në mbështetje të buxhetit të shtetit, por dhe në mbështetje të bashkëpunimit me Fondacionin Soros dhe UNDP”, u shpreh ministrja Gjonaj.
Në kuadër të reformimit që ka nisur në të gjithë sistemin e drejtësisë, ajo tha se kjo iniciativë do të mund të lehtësojë qytetarët për ta bërë aksesin në drejtësi sa më të barabartë.“Më vjen mirë të shohë në këtë aktivitet pjesëmarrës nga Gjykata, Prokuroria, Policia, Mekanizmi dhunës në Familje, Shërbimi Social dhe organizata të Shoqërisë civile, pasi të gjithë së bashku mund të garantojmë më së miri aksesin në drejtësi për qytetaret në nevojë nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike falas. Qasja në drejtësi është një element themelor i shtetit të së drejtës për të cilin Ministria e drejtësisë po punon çdo dite për të garantuar këtë të drejtë së bashku me partnerët tanë. Pa dyshim, ky akses dhe ofrimi i ndihmës juridike falas janë objektiva në kuadër të Reformimit të sistemit të drejtësisë, dhe pa dyshim pjesë e mbështetjes dhe të Bashkimit Evropian nëpërmjet mbështetjes buxhetore për zbatimin e saj”, theksoi Gjonaj.
Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë Andi Dobrushi, tha se ky projekt ka nisur prej dy vitesh.“Së pari dua të falënderoj ministren Gjonaj për bashkëpunimin sepse ky bashkëpunim për shërbimin ligjor falas e ka origjinën ka dy vjet ku ne bashkërisht kemi hapur qendrën e parë Brenda zyrave të Ministrisë së Drejtësisë dhe pastaj e shtrimë këtë punë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, tha Dobrushi.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Gentian Llatja tregoi për rëndësinë që ka kjo qendër për qytetin e Elbasanit.
“Dua të falenderoj ministren për iniciativën që ndërmori dhe për të gjithë mbështetjen që ne kemi gjetur. Gjithashtu dua të falenderoj edhe fondacionin Shoqëria e Hapur për të gjithë ndihmën që na kanë dhënë. Ky shërbim për të gjithë qytetarët dhe sidomos për ata që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme, kjo është gjëja më e mirë për qytetin e Elbasanit”, theksoi Llatja.
Kjo qendër dhe të tjerat që po ngrihen në qytetet kryesore në vend, pritet të ofrojnë ndihmë juridike parësore për qytetarët në nevojë, pa të ardhura të mjaftueshme dhe kategori të caktuara si: ”Viktimave të dhunës në familje; viktimave të abuzuar seksualisht dhe viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, në çdo fazë të procedimit penal; viktimave të mitur dhe të miturve në konflikt me ligjin, në çdo fazë të procedimit penal; fëmijëve, të cilët jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore; fëmijëve nën kujdestari, të cilët kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestarit të tyre ligjor ose kundër kujdestarit të tyre ligjor; personave që përfitojnë nga pagesa për aftësinë e kufizuar, edhe personat që përfitojnë nga statusi i të verbrit; personave, të cilët janë përfitues të skemave të mbrojtjes sociale; etj”