Loading…

Kategoritë që përfitojnë

Nga ky shërbim përfitojnë të gjithë ata shtetas të cilët janë në kushtet e pamundësisë ekonomike, apo bëjnë pjesë si persona të kategorive të veçanta (neni 11 i ligjit nr.111/2017) dhe kanë nevojë për një shërbim ligjor (këshillim/orientim ligjor apo përfaqësim në gjykatë).

Të drejtën për të përfituar ndihmë juridike e ka çdokush që provon se ka të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet për këshillim, përfaqësim dhe/ose mbrojtje në çështjet penale, në çështjet administrative dhe në çështjet civile. Në kuptim të ligjit nr.111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, një person ndodhet në kushtet e pamundësisë ekonomike nëse plotëson këto kritere:

  1. Të ardhurat e një personi, i cili jeton në një familje, konsiderohen të pamjaftueshme, nëse të ardhurat në total të të gjithë pjesëtarëve të familjes, të pjesëtuara për numrin e anëtarëve të familjes, janë më të ulëta se 50% e pagës minimale mujore të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi (40.000 lekë në muaj);
  2. Të ardhurat e një personi, i cili nuk jeton në një familje, konsiderohen të pamjaftueshme, nëse janë më të ulëta se niveli i pagës minimale mujore të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi (40.000 lekë në muaj);
  3. Nëse një person, i cili jeton në një familje, kërkon ndihmë juridike dytësore për një çështje kundër një anëtari tjetër të së njëjtës familje, të ardhurat e këtij personi konsiderohen të nëse janë më të ulëta se niveli i pagës minimale të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi (40.000 lekë në muaj);

Gjithashtu, përveç kritereve të mësipërme, personi nuk duhet të ketë në pronësi  të tij pasuri (të luajtshme/të paluajtshme përveç banesës së përbashkët familjare e cila nuk përfshihet), që tejkalojnë vlerën e 36 pagave minimale mujore sipas legjislacionit në fuqi (1 440 000 lekë).

Pasuria e një personi konsiderohet e pamjaftueshme, sipas pikës 1, të këtij neni, nëse vlera e saj në total nuk tejkalon vlerën e 36 pagave minimale mujore sipas legjislacionit në fuqi.

Në kuptim të ligjit nr.111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” përfitojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë pavarësisht të ardhurave dhe pasurisë së tyre individët që bëjnë pjesë në njërën prej këtyre kategorive të veçanta:

  • Viktimë e dhunës në familje;
  • Viktimë e abuzimit seksual;
  • Viktimë e trafikimit të qënieve njerëzore;
  • Viktimë e mitur;
  • I mitur në konflikt me ligjin;
  • Fëmijë në institucionet e përkujdesjes shoqërore (shtëpitë e fëmijës);
  • Fëmijë nën kujdestari, të cilët kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestarit të tyre ligjor ose kundër kujdestarit të tyre ligjor;
  • Person me aftësi të kufizuar dhe të verbërit;
  • Person me problem të shëndetit mendor;
  • Person, përfitues i skemave të mbrojtjes sociale (fëmijët, personat me aftësi të kufizuara; të rriturit me probleme sociale; fëmijë e të rritur viktima të dhunës në familje; fëmijë e të rritur viktima të trafikimit; individë në varësi të provuar ndaj drogës e alkoolit; vajzat shtatzëna, apo prindi i vetëm i një fëmije deri në moshën njëvjeçare; të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin, të moshuarit në nevojë; familje dhe individë në situatë emergjence etj);
  • Person, të cilit i është cenuar e drejta nëpërmjet një veprimi që përbën diskriminim, bazuar në vendimin e organit kompetent.